Sunday, 25. January 2026
Sport

Mbrojtja e Kupës nis me Besën, Dinamo nuk i ndahet stadiumit “Air Albania”

GS 05/01/2026 1 Min. Lesezeit

Dinamo e mbylli vitin 2025 me fitimin e trofeut të Superkupës së Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”. Po në këtë stadium do të nisë mbrojtjen e Kupës së Shqipërisë, që e fitoi sezonin e kaluar pasi mundi Egnatian në finale me penallti.

Ndeshjen e parë të 2026-ës skuadra e trajnerit Ilir Daja do ta zhvillojë më 10 janar kundër Besës, në kompeticionin e Kupës. Një ndeshje e lehtë në letër, por klubi dinamovit ka zgjedhur të luajë sërish në stadiumin “Air Albania”, ku tashmë është familjarizuar.

Dinamo është në garë për titullin kampion dhe aktualisht mban vendin e tretë. Megjithatë, edhe Kupa e Shqipërisë ka vëmendjen maksimale të kryeqytetasve, të cilët synojnë të mos e lëshojnë trofeun që e kanë fituar 14 herë në historinë e tyre.

Në fundjavë luhen edhe ndeshjet e tjera të Kupës së Shqipërisë, ku veçohen përballjet mes skuadrave të Superiores, Teuta-Vora dhe Elbasani-Flamurtari.

Teilen: