Kombëtarja shqiptare U-21 do të luajë më 6 shtator takimin ndaj Zvicrës U-21, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Sllovaki 2025”.
Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin të dielën, teksa trajneri Alban Bushi ka publikuar edhe listën me 23 lojtarët e ftuar për këtë takim.
Në këtë listë bie në sy mungesa e Medon Berishës. Ish-kapiteni i Shpresave i cili ishte pjesë e Kombëtares A në Europian, tashmë është zyrtarisht pjesë e ekipit të Sylvinhos. Në këtë mënyrë, braziliani i merr Bushit një “diamant” nga ekipi i të rinjve.
Kujtojmë që me Kombëtaren A, Berisha ka luajtur dy ndeshje, ndërsa me U21 plot 12 të tilla. Me këta të fundit, mesfushori 20-vjeçar ka shënuar edhe 3 gola.