Tuesday, 30. June 2026
Sport

Meksikë-Ekuador nuk është vetëm një ndeshje, mes dy vendeve ka një luftë diplomatike

GS 30/06/2026 3 Min. Lesezeit

Prej dy vitesh nuk kanë më raporte mes tyre, tani gjenden përballë në fushë, duke kërkuar 1/8-at e Kupës së Botës.

Ndoshta topi do të bëjë të mundur shtrëngimin e duarve nga dy miqtë e vjetër që nuk flasin prej më shumë se dy vitesh. Meksikë-Ekuador, sfida e 1/16-ve të Botërorit që luhet në “Azteca” shkon përtej një ndeshjeje: është gjeopolitika e topit.

Meksika dhe Ekuadori i kanë ndërprerë marrëdhëniet e tyre diplomatike prej 5 prillit 2024. Shkak u bë futja e policisë në ambasadën meksikane në Quito për të kapur ish-zv.presidentin e Ekuadorit, Jorge Glas, i dënuar për korrupsion. Jetonte aty prej 2023-shit, Meksika i kishte dhënë azil politik.

Kjo ndërhyrje bëri që qeveria meksikane të ndërpriste raportet me Ekuadorin, duke e akuzuar presidencën e Daniel Noboa se kishte shkelur Konventën e Vienës për marrëdhëniet diplomatike të vitit 1961. Që atëherë dy vendet nuk kanë asnjë komunikim dhe kanë mbyllur ambasadat. Në nivel ndërkombëtar kanë arritur një akord për t’u përfaqësuar nga Zvicra.

Për më tepër, Meksika ka kërkuar një procedim kundër Ekuadorit në Trupën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërhyrja përfshiu edhe pjesën tjetër të botës: SHBA-të i nxitën dy vendet që të rivendosnin raportet dhe të respektonin Konventën, kurse BE-ja e dënoi sulmin në bllok. Ky është konteksti, në të cilin do të zhvillohet ndeshja.

Të përditshmet dhe sitet ekuadoriane flasin për “Aztecazo”, kurse në Meksikë i druhen një hapi fals para tifozëve. Megjithatë, fusha kalon në plan të dytë. Claudia Sheinbaum, presidente e Meksikës, ka evituar pyetjet për raportin mes dy vendeve, thjesht i ka uruar fat skuadrës.

Presidenti Noboa në anën tjetër u ka zgjatur një dorë miqve të vjetër: “Unë do të doja t’i riktheja raportet me Meksikën. Kemi shumë kompani meksikane që investojnë në Ekuador dhe nuk ka arsye të zihemi apo të pezullojmë marrëdhëniet diplomatike”.

Fausto Pretelin, analist ndërkombëtar, ka thënë për “El Sol del Mexico” që kjo ndeshje përfaqëson një rast të humbur për rivendosjen e raporteve: “Noboa duhej të ishte ftuar në stadium pavarësisht raportit me Meksikën. Ndonjëherë këto lloj eventesh shërbejnë pikërisht për të hedhur bazat e paqes”.

Një gjë është e sigurt: nuk do të ketë barazim. Në lojë është kalimi në 1/8-at e Kupës së Botës.

Teilen: