Pas trofeut të Europa League të fituar një vit më parë kundër Romës, Jose Luis Mendilibar ka shansin të shtojë një tjetër kupë europiane, këtë herë me grekët e Olympiacos, që do të përballen të mërkurën në mbrëmje me Fiorentinën në Athinë, në finalen e Conference League.
Trajneri spanjoll doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ndër të tjera deklaroi se e di sekretin për të fituar në finale dhe evidentoi rrugëtimin mjaft të vështirë të klubit nga Pireu.
“Kemi pasur një rrugëtim shumë të mundimshëm, pasi kemi kaluar katër ture me eliminim direkt. Tani jemi në finale dhe ajo që vlen më shumë është të provojmë të fitojmë trofeun.
Sekreti për të fituar në një finale është të ruash qetësinë dhe të presësh momentin e duhur. Presioni është i madh te të gjithë dhe në fund fitojnë ata që dinë ta menaxhojnë më mirë e të ruajnë qetësinë”, u shpreh Mendilibar.
Trajneri i klubit grek tha se e ka ndarë mendjen si për formacionin, ashtu edhe për planin e lojës, teksa u mundua të shmangë komentet për elementë të caktuar si El Kaabi, i cili ka shkëlqyer te Olympiacos.
“E kam vendosur planin e lojës dhe madje edhe formacionin, por sigurisht që nuk do ta zbuloj sot.
El Kaabi po kalon formë të shkëlqyer, por në fushë do të jenë edhe 10 të tjerë. Duhet të vuajnë dhe sakrifikojnë të gjithë bashkë, pasi futbolli është sport kolektiv dhe askush nuk fiton dot i vetëm”, u shpreh spanjolli.