Lionel Messi është afër që të bëhet aksionari më i madh i klubit spanjoll të kategorisë së dytë, Eldense.
Sipas “AS”, fituesi i Kupës së Botës 2022, ka arritur marrëveshje në parim me grupin kolumbian të investimeve, TH, për të blerë 100 për qind të aksioneve të këtij grupi në klub. Marrëveshja duhet të aprovohet nga Këshilli për Sport i Spanjës.
Nëse marrëveshja finalizohet, Messi do të bëhet pronar i një klubi profesional spanjoll për herë të parë. 39-vjeçari, që aktualisht është në edicionin e katërt tek Inter Miami në SHBA, tashmë e ka në pronësi klubin e kategorisë së pestë spanjolle, Cornella.
“Ne kemi pranuar konfirmimin se një marrëveshje në parim është arritur. Në këtë fazë duhet të presim për të parë nëse marrëveshja finalizohet”, ka thënë kryebashkiaku i Eldes, Ruben Alfaro.
“Gjithsesi, duhet të jemi krenarë për qytetin tonë dhe klubin e futbollit që na përfaqëson. Fakti se një personalitet si Lionel Messi është i interesuar dhe dëshiron të përkrahë klubin dhe Eldan është lajm spektakolar”.
Eldense është promovuar në “Segunda Division” dhe pas katër xhirosh është në pjesën e poshtme të tabelës. Stadiumi në qytetin me 55 mijë banorë ka kapacitet prej 5800 ulëseve.
Messi dëshiron ta blejë klubin spanjoll nga kategoria e dytë
Teilen: