Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit, ka shprehur dhimbjen dhe respektin e tij për Billy Vigar, ish-lojtarin e akademisë së klubit, i cili ndërroi jetë tragjikisht në moshën 21-vjeçare.
Ylli i të rinjve, që po luante për Chichester City, raportohet se është përplasur me një mur betoni, duke pësuar një dëmtim fatal në tru.
Arteta u pyet për Vigar gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes së Arsenalit kundër Newcastle të dielën.
Billy kishte luajtur në skuadrat e Arsenalit U-18 dhe U-21, por nuk arriti të debutojë me ekipin e parë.
“Lajmi është tronditës, e mora dje dhe menjëherë mendova për familjen dhe për sa e vështirë është të përballesh me diçka të tillë në një mënyrë kaq të papritur.
Shpresojmë që ata të gjejnë forcë për të kuptuar se çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe të bëjnë gjithçka për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Është një lajm shumë i trishtuar dhe ne i japim mbështetjen tonë të plotë familjes dhe mendimet tona janë me të dashurit e tij”.
Arsenali publikoi një deklaratë të veçantë të enjten në mbrëmje pas lajmit për ndarjen nga jeta të Vigar, duke shprehur tronditjen për humbjen e një prej ish-lojtarëve të akademisë së tyre.