Shtatë prezenca mbi 500 minuta në fushë e bëjnë Tizhani Reijndersin një ndër lojtarët më të përdorur nga Milani në këtë pjesë të parë të sezonit. Në bilancin e holandezit që u vesh kuqezi në verë pasi u ble nga Alkmari edhe dy asiste. Cilësia e tij i ka habitur të gjithë dhe është një nga debutuesit në Serinë A me vlerësimin më të lartë mesatar (6.1). Pas gabimit të Interit me Sasuolon, që e çoi Milanin në vendin e parë në renditje (së bashku me kushërinjtë), beson edhe më shumë te titulli. Holandezi, duke folur për “Sportmediaset”, duke dhënë edhe disa komente për muajt e tij të parë në Itali dhe në skuadrën kuqezi.
Si po shkon aventura juaj milaneze?
Ndihem mirë dhe shumë i lumtur. Ambientimi ka shkuar pozitivisht dhe këtu ndihem si në shtëpi. Shokët ma kanë bërë gjithçka më të lehtë e për mua ka qenë një kënaqësi.
A ka ndryshim mes Italisë dhe Holandës?
Seria A më pëlqen. E prisja të ishte më e vështirë se kampionati holandez. Në Itali po mësoj shumë në çdo ndeshje. Ndryshimet janë të shumta, sidomos në aspektin taktik, pasi në Itali nuk i lihet asgjë rastësisë. Në Holandë luhet më lirshëm, por sidoqoftë më pëlqen ky aspekt i futbollit në Serinë A.
Sa i kënaqur jeni në aspektin individual?
Deri tani kam dhënë dy asiste, por do të më pëlqente të shënoja ndonjë gol, çka është e vetmja gjë që më mungon deri tani. Mbase do të kem ndonjë rast ndaj Lacios. Kështu shpresoj të paktën.
Pioli ju vendos si të tretë mesfushë, por ju çfarë roli preferoni?
Roli im i preferuar është ai të cilin po interpretoj aktualisht. Trajneri më thotë të sulmoj e të mbroj dhe unë ndihem mirë kur i kombinoj këto. Dua të ndihmoj sa më shumë skuadrën dhe do ta bëj në çfarëdo roli që do të më kërkohet. Do të mundohem të jem gjithmonë gati.
A mendoni se mund të shpalleni kampionë sivjet?
Sigurisht që besojmë se mund të shpallemi kampionë. Jemi Milani dhe kemi një ekip të shkëlqyer. Edhe ata që nuk e nisin si titullarë po bëjnë një punë të shkëlqyer. Ka cilësi fantastike dhe ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Mes tyre edhe ndoshta të fitojmë kampionatin.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL