Të dhënat kryesore mbi të cilat Prokuroria e Milanos po punon për të përcaktuar nëse fondi “RedBird” i Xherri Kardinales është me të vërtetë pronar i klubit të kuqezinjve apo ende po i tërheq fijet “Elliott”, do të vijnë nga drejtori administrativ i Milanit, Aldo Savi dhe Pol Singer.
Kjo është shkruar nga “Corriere della Sera”, sipas së cilës prokurorët Polici dhe Kavaleri gjetën një mospërputhjen në informacionin që tregon se pjesa më e madhe e kapitalit të përdorur për shitjen e Milanit vjen nga një pjesë e korporatës që nuk i referohet “RedBird”-it, por një fondi me seli në Holandë. Bëhet fjalë për “RB FC Holdings CV” që menaxhohet nga Xherri Kardinale, por nuk dihet se kë ka pronar të vërtetë.
SITUATA – Sipas artikullit të së përditshmes italiane, dokumenti i brendshëm i Milanit që më pas përfundoi në duart e Guardia di Finanza do të ishte një draft i dërguar nga një menaxher i “RedBird”-it drejtorit administrativ të Milanit, Savi në lidhje me një seri bisedimesh me investitorë të botës arabe në fund të vitit 2023. Menaxheri, i thirrur si dëshmitar nga prokurorët, e përshkroi dokumentin si “të çuditshëm” sepse sipas tij nuk parashikonte një shitje të mundshme të aksioneve klubit në pronësi të “RedBird” por më tepër shitje të një pjese të borxhit që “RedBird” ka ndaj “Elliott”- it. Aktualisht klubi kuqezi nuk ka përgjegjësi objektive, por nëse konstatohen shkelje, penalizimi do të jetë i natyrës sportive me heqje pikësh në renditje të cilat do të “veprojnë” mbi sezonin e ardhshëm të “Djallit”.
DREJTUESIT – Savi është pjesë e Milanit që nga viti 2018 si konsulent për fondin “Blue Skye”, fillimisht një aksionar në pakicë dhe më pas protagonist i një mosmarrëveshjeje të ashpër civile dhe penale kundër fondit “Elliott”. Ai mbeti në bordin e kuqezinjve edhe pas frakturës. Savi do t’u kishte thënë hetuesve se menaxhimi i Milanit është ende nën “ndikimin e fortë” të “Elliott”, përmes ish-punonjësve të këtij të fundit si Skaroni, Furlani, Koçirio e të tjerë të cilët vijojnë të qarkullojnë në “Casa Milan” edhe tani që pronar është “Redbird”-i.
PANORAMASPORT.AL