Tri ndeshje kampionati në stol, zero minuta në këtë start kampionati, edhe pse po stërvitet me grupin prej 21 gushtit. Christian Pulisic është shndërruar vërtet në një mister te Milani i trajnerit Ruben Amorim, duke ngritur pikëpyetje për tifozët e tij.
Amerikani ishte një nga lojtarët kyç të Milanit deri në dhjetor të 2025-ës, më pas fantazisti ka kaluar një periudhë shumë delikate, me rendiment të ulët dhe një seri problemesh fizike. Që në Botëror Pulisic pati një mikrofrakturë në këmbën e djathtë. Për këtë lloj shqetësimi është e nevojshme që të ulen ngarkesat dhe t’i lihet kohë kockës që të rigjenerohet.
Pas ndeshjes me Juventusin, trajneri Amorim shpjegoi arsyen e mungesës së sulmuesit amerikan. “Pulisic është kthyer nga një dëmtim, po e shohim, por për momentin nuk mund të luajë”, – tha trajneri portugez, duke shtuar disi misterin.
Klubi po tregohet shumë i kujdesshëm, në mënyrë që Pulisic të rigjejë gjendjen fizike optimale, duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen e shtatorit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Përveç çështjes shëndetësore, në menaxhimin e situatës së Pulisic ka ndikuar edhe strategjia taktike e Amorim, që ka në mendje një skuadër me çifte fikse lojtarësh. Ai e sheh amerikanin në të majtë, ku aktualisht po shkëlqen Alphadjo Cisse.