Sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 17-të në Superligë nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Ai realizoi dy gola dhe një asist në fitoren që skuadra e tij e arriti kundër kampionit në fuqi, Ballkanit, me rezultat 5:3 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Për Hysenin kjo ishte hera e tretë që e fiton këtë çmim në këtë edicion.
“Të pranosh çmimin Ylli i Javës për herë të tretë brenda 17 xhirosh është ndjenjë fantastike. Rol të madh që unë po pranoj këtë çmim kanë të gjithë ata që më mbështesin pa rreshtur, duke filluar nga bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët.
Pa mbështetjen e tyre nuk do ta kisha këtë sezon kaq të mirë. Ndeshja e fundit ndaj Ballkanit ishte shumë e vështirë por besoj që me angazhimin e gjithë secilit futbollist arritëm fitore të merituar. Tifozëve tanë ‘Legjendat’ u premtoj ende gola dhe paraqitje sa më të mira, në mënyrë që së bashku t’i arrijmë objektivat e klubit”, tha Muhamet Hyseni për faqen zyrtare të FFK-së.