Skuadra e Lirisë assesi nuk po mund të këndellet, ku sot pësoi humbjen e 14 të sezonit në Superligën e Kosovës.
Liria u mposht 2:1 nga Dukagjini si mysafire në Klinë, por që këtë humbje skuadra prizrenase po e sheh si të padrejtë.
Përmes një komunikate në faqen zyrtare, Liria reagoi për gjyqtarin e ndeshjes, Vigan Ibërdemaj, të cilin e cilësoi regjisor të fitores së Dukagjinit.
“Referim skandaloz në Klinë. Vigan Ibërdemaj regjisor i fitores. Ndeshja e zhvilluar në Klinë, mezi gjeti fundin. Ndonëse, loja u zhvillua në presion, sidomos nga gjyqtari Ibërdemaj dhe, ajo pati përfundim absurd. Zgjatja pa nevojë e ndeshjes, kur në min. 99 u akordua penallti e cila u përsërit derisa Dukagjini shënoi gol. Kjo çfarë ndodhi në Klinë i qoftë për turp Viganit dhe shokëve të tij. Ne, na u vidh pika që e merituam, e në bazë të rasteve merituam edhe më shumë. Ftojmë organet e FFK-së që të marrin masa ndaj këtyre ‘gjyqtarëve’, sepse kështu s’kan çka kërkojnë në Prizren. Ne, nuk do të dorëzohemi. Do të luftojmë ndershëm deri në fund”, shkruante në komunikatën e Lirisë.