Basketbollisti i Miami Heat, Bam Adebayo, pati mbrëmje të jashtëzakonshme në NBA, duke arritur totalin e dytë më të lartë të pikëve në një ndeshje në historinë e ligës më të fortë të basketbollit në botë.
Adebayo shënoi plot 83 pikë në fitoren e Miami Heat ndaj Washington Wizards me rezultat 150:129.
Me këtë paraqitje, ai theu rekordin e Kobe Bryantit, i cili kishte realizuar 81 pikë në një ndeshje në vitin 2006, duke lënë para vetes vetëm legjendën Wilt Chamberlain, që mban rekordin historik me 100 pikë në vitin 1962.
Që nga fillimi i ndeshjes ishte e qartë se Adebayo do të kishte një mbrëmje të madhe. Ai realizoi 31 pikë në çerekun e parë, 12 pikë në të dytin, 19 pikë në të tretin dhe 21 pikë në çerekun e fundit.
Në këtë ndeshje ai ishte i saktë në 20 nga 43 tentime për dy pikë, ndërsa fitoi plot 43 gjuajtje të lira, prej të cilave realizoi 36 pikë. Gjithashtu provoi 22 herë për tri pikë, duke realizuar 7 prej tyre.
Sa i përket bashkëlojtarëve te Miami, kontributi më i madh erdhi nga Simone Fontecchio me 18 pikë.
Te skuadra humbëse, Wizards, më i dalluari ishte Alexandre Sarr me 28 pikë, ndërsa Will Riley shtoi 22 pikë.
Ndeshja u vendos në mesin e çerekut të tretë, kur Miami krijoi epërsi prej më shumë se 20 pikësh, ndërsa pjesa e mbetur e takimit u shfrytëzua kryesisht që Adebayo të vazhdonte të shtonte numrin e pikëve në një mbrëmje historike.