Wednesday, 21. October 2026
Sport

Ndalimet gjatë protestave, Avokati i Popullit: Protestuesit dhunohen edhe pasi neutralizohen. Blloku i Sigurisë i mbipopulluar

GS 21/10/2026 2 Min. Lesezeit

Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, ka bërë të ditur se grupet e ngritura nga institucioni kanë qenë në terren për monitorimin e situatës në komisariate, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës, pas shoqërimeve të kryera gjatë protestës.

Sipas Prençit, në Bllokun e Sigurisë janë gjetur 118 persona, mes të cilëve ishin edhe 6 të mitur. Ndërsa në Spitalin e Traumës janë gjetur gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur.

Prençi bëri të ditur se janë administruar 6 ankesa për përdorim të dhunës në Bllokun e Sigurisë, ku pretendohet se ka pasur dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave.

Komisioneri ngriti shqetësime edhe për kushtet në Bllokun e Sigurisë, duke deklaruar se në dhomat e sigurisë të planifikuara për 1 person, qëndrojnë nga tre deri në katër persona. Ai tha se kapaciteti zyrtar i institucionit është 60 persona, por aktualisht ka një mbipopullim pothuajse dyfish.

“Grupet e ngritura nga institucioni kanë qenë në terren për monitorimin në komisariate, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në Bllokun e Sigurisë u gjetën 118 persona, të cilët u kontaktuan nga ana jonë dhe mes tyre kishte 6 të mitur. Në Traumë u gjetën 6 protestues, ku njëri ishte i mitur.

U administruan 6 ankesa për përdorimin e dhunës në Bllokun e Sigurisë, ku u pretendua për dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave. Pamjet filmike janë shqetësuese për dhunën ndaj protestuesve, edhe pas neutralizimit të tyre. Po analizojmë pamjet dhe kemi marrë denoncime e ankesa edhe përmes telefonit. Çdo kufizim duhet të ketë bazë dhe të dokumentohet”, tha ai.

Prençi kërkoi nga policia që të ruajë pamjet filmike nga ambientet e shoqërimit, marrjes në pyetje dhe qëndrimit të personave të shoqëruar. Ai bëri të ditur se, pas përfundimit të hetimeve administrative, rastet kur konstatohen shkelje të ligjit nga ana e policisë ndaj protestuesve do t’i referohen Prokurorisë.

Teilen: