Humbja ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 ka shkaktuar polemika në Angli. Përveç zhgënjimit nga përmbysja në minutat e fundit, mediat angleze kanë kritikuar mënyrën si skuadra e Lionel Scalonit interpretoi ndeshjen, duke e akuzuar për agresivitet të tepruar, provokime dhe humbje kohe.

Gazeta prestigjioze “The Telegraph” publikoi një artikull me titullin “31 truket e padrejta të Argjentinës”, duke renditur episodet e konsideruara antisportive gjatë 97 minutave në Atlanta. Sipas gazetës, lojtarët argjentinas tentuan të nervozonin kundërshtarët që në fillim. Në listë përmenden ndërhyrjet e forta të Alexis Mac Allister, Leandro Paredes, Enzo Fernández dhe Giuliano Simeone ndaj Elliot Anderson e Jude Bellingham, si dhe përplasjet me Jordan Pickford.

Në shënjestër përfundoi edhe Lionel Messi, i kritikuar për protestat ndaj arbitrit dhe kontaktet me Bellingham e Spence. Akuzat përfshijnë edhe hedhjen e një topi të dytë nga stoli i Argjentinës për të vonuar rivënien angleze, vonesat e Emiliano Martínezit dhe festimin provokues të Cristian Romero pas golit 2-1.

Pas ndeshjes u shfaq edhe një pankartë “Ishujt Falkland janë argjentinas”, që mund të shqyrtohet nga FIFA. Megjithatë, ndeshja ishte fizike nga të dyja skuadrat, me tensione dhe përplasje të shumta.