Sezoni aktual pritet të jetë i fundit në karrierën e jashtëzakonshme të Manuel Neuer, por fundi i saj rrezikon të jetë më i ndërlikuar sesa parashikohej. Portieri i Bayern Munich, i cili vitin e ardhshëm mbush 41 vjeç, po kalon një periudhë të vështirë.
Paraqitjet e tij kanë rindezur debatin mbi të ardhmen e portës bavareze, ndërsa Jonas Urbig shihet gjithnjë e më shumë si pasuesi i tij natyral. I kritikuar pas Botërorit, që përfundoi me tërheqjen e tij nga kombëtarja gjermane. Neuer vazhdon të bëjë gabime të kushtueshme.
Më i fundit ndodhi gjatë barazimit 2-2 kundër Augsburg, kur një humbje tronditëse e përqendrimit, vetëm gjashtë sekonda pas fillimit të ndeshjes, i hapi rrugën Robin Fellhauer për të shënuar golin më të shpejtë në historinë e Bundesliga.
Shtypi gjerman nuk e ka kursyer kapitenin e Bayern; gazeta ‘Bild’ shkroi: “Një boksier i plakur është vetëm një ndeshje larg shndërrimit në një klloun.” Por, pavarësisht kritikave, Bayern nuk duket se ka ndërmend të ndryshojë hierarkinë e portierëve.
Drejtori sportiv Max Eberl rikonfirmoi besimin e tij të plotë te kapiteni: “Manu bëri një gabim. Ndodh, veçanërisht pas një karriere njëzetvjeçare. Për ne, nuk ka dyshime: Neuer është numri ynë një dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Për të ardhmen do të shohim.”
Për ta ndihmuar të rimëkëmbet pas paraqitjes së dobët, raportohet se Vincent Kompany po shqyrton mundësinë për ta aktivizuar atë në ndeshjen e Champions League kundër Viking, edhe pse fillimisht ishte planifikuar të luante Jonas Urbig.
Portieri i ri gjerman vazhdon të bëjë përshtypje sa herë që thirret në detyrë. Pas paraqitjeve të shkëlqyera për Bayern dhe atyre të fundit me kombëtaren e parë kundër Serbisë dhe Greqisë, një numër në rritje njerëzish në Gjermani duan ta shohin atë si titullar të menjëhershëm.