Thursday, 3. September 2026
Sport

Nëntë medalje të Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, sonte ceremonia pëmbyllëse

GS 03/09/2026 2 Min. Lesezeit

Pas 4 medaljeve të fituara nga Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 dhe 6 në Oran 2022, Kosova ka thyer rekordin shtetëror të medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare, 9 sosh në Taranto 2026.

Xhudistët siç pritej fituan pesë medalje, një të argjendtë dhe katër të bronzta me shtatë garues sa mori pjesë në gara Federata e Xhudos.
Dy medalje të arta, të vetmet për Kosovën në Lojërat Mesdhetare erdhën nga Donjeta Sadiku në boks e Islam Selmani në karate.

Dy të argjendta Kosovës ia solli edhe iraniani me shtetësi kosovare, Kianoush Rostami në sportin e peshëngritjes, duke e vendosur vendin në mesin e shteteve më të suksesshme, nga sportet luftarake.

Nëse për bazë merret numri i sportistëve pjesëmarrës dhe numri i medaljeve të fituara, Kosova është prej vendeve më të suksesshme të Lojërave Mesdhetare sa u takon katër sporteve kryesore luftarake: xhudos, boksit, karatesë e mundjes.

Në të gjitha ngjarjet shumësportëshe të deritashme, Kosova suksesin më të madh e ka në sportet luftarake.

Por në Taranto të Italisë, Komiteti Olimpik i Kosovës me bujë të madhe paralajmëroi numrin e madh të sportistëve pjesëmarrës, gjithsej 163, në 21 sporte.

Megjithatë në 17 prej tyre sportistët kosovarë u paraqitën dobët, përfshirë këtu sportet si futbolli, hendbolli, volejbolli, basketbolli 3×3 e atletika, pa rezultate e pa sukses.
KOK-u, sipas një njoftimi në ditën e fundit të Lojërave Mesdhetare, ka pritur më shumë medalje, pasi pritshmëritë për sukses ishin edhe në taekwondo, atletikë dhe sportet ekipore si futbolli, basketbolli 3X3, hendbolli e volejbolli.

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 do të mbahen në Kosovë dhe pjesërisht në Shqipëri, me emrin Prishtina 2030 derisa sonte në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare KOK-ut do t’i dorëzohet flamuri i Kosovës si mikpritëse e edicionit të ardhshëm të Lojërave.

Teilen: