Trajneri i Astanës, Grigori Babajan, mendon se ndeshja e dytë ndaj Partizanit në play-off të Ligës së Konferencës, duhet trajtuar si të ishte sfida e parë. Në konferencën për shtyp para duelit, ai theksoi se ekipi i tij do të dilte në fushë në “Elbasan Arena” duke e menduar ndeshjen si 0-0, jo për të mbrojtur fitoren 1-0 të ndeshjes së parë.
“Sigurisht që na pret një ndeshje shumë e vështirë. E kuptojmë që kemi një avantazh të lehtë, por në të njëjtën kohë nesër duam të luajmë futboll më të organizuar që në minutat e para, të shtojmë disiplinën taktike dhe agresivitetin. Nëse mendojmë vetëm se si të mbrojmë rezultatin e ndeshjes së parë, atëherë asgjë nuk do të funksionojë. Djemtë e dinë këtë dhe ne duhet të dalim në fushë me një mendim: rezultati është 0-0. Detyra jonë kryesore është të arrijmë fazën e grupeve. Ne kemi folur tashmë për këtë me djemtë, do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të përfunduar këtë detyrë.
Shtesa? Jemi gati për çdo skenar, por shpresojmë që ccështja të mos arrijë deri aty. Nëse kjo ndodh, sigurisht, ne duhet të jemi të përgatitur.
Rotacioni në kampionat? Kemi pasur një numër të madh ndeshjesh radhazi, ka pasur një fluturim të gjatë, për këto arsye ata që nuk morën pjesë në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, luajtën në Almati. Nuk do të them se kjo është skuadra e dytë, thjesht dolën në fushë ata që nuk luajtën në ndeshjen e parë. Absolutisht të gjithë djemtë po përgatiten për ndeshjen e nesërme.
Sigurisht, ne duam të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka për këtë. Ne nuk mendojmë për humbjen, detyra kryesore për ne është të arrijmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Ne e kemi analizuar mirë ndeshjen e parë, i dimë të mirat dhe të këqijat e ekipit. E kuptojmë që me këtë ekip në asnjë rast nuk duhet të relaksohemi, nuk duhet ta nënvlerësojmë. Ekipi ka lojtarë cilësorë, është i organizuar mirë dhe do të them sërish që nesër duhet të luajmë 100%, në mënyrë të ekuilibruar dhe të disiplinuar. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Babajan para mediave.
PANORAMASPORT.AL