Brazili do të presë Argjentinën në të gdhirë të së mërkurës sipas orës së Tiranës (21 nëntor, ora 21:30, Rio de Zhaneiro), në mitikun “Maracana” në takimin e gjashtë në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Botërorin 2026.
Brazili vjen në këtë përballje pas dy humbjesh radhazi në kualifikuese kundër Uruguait dhe Kolumbisë. Brazili duket në krizë loje e rezultatesh, teksa dhe dëmtimet e Nejmarit dhe Viniciusit nuk ndihmojnë trajnerin në detyrë Fernando Diniz. Kujtojmë se Brazili nuk humbet tri ndeshje radhazi, që nga viti 2001.
Në atë kohë, “Canarinha” humbiste katër ndeshje radhazi, kundër Francës dhe Australisë, në Kupën e Konfederatave, Uruguait, në kualifikueset e Amerikës së Jugut dhe Meksikës, në Kupën e Amerikës. Një seri kjo që shënoi shkarkimin e Emerson Leaos dhe fillimin e punës së Luiz Felipe Skolari, i cili një vit më vonë do ta çonte ekipin drejt titullit të pestë botëror.
SA SHUMË HISTORI! – Ajo mes Brazilit dh Argjentinës nuk është thjesht një ndeshje kualifikuese. Ajo është një Klasike e futbollit botëror, që do t’i vërë dhe kapak ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026, për zonën e Amerikës së Jugut për vitin 2023. Mbyllje më të mirë nuk ka.
Sikurse nuk ka skenë më të madhe dhe më prestigjoze se “Maracana”. Kjo klasike garanton gjithashtu, një tjetër kapitull në historinë e dueleve mes brazilianëve dhe argjentinasve në stadiumin mitik. Një histori që nisi në vitin 1957, me debutimin e më të madhit nga të gjithë (Pele), dhe kapitullin më të fundit e pati në vitin 2021, me shenjtërimin e një gjeniu (Mesi).
SFIDA E PARË – E hapur për Kupën e Botës 1950, “Maracana” priti për herë të parë një Brazil-Argjentinë shtatë vjet më vonë, në 7 korrik 1957, që shënoi debutimin e askujt tjetër, përveç Pelé në ekipin kombëtar brazilian. Pelé do të rikthehej te argjentinasit në vitet në vijim.
Ai shënoi në 5-1 në korrik 1960, në Kupën e Atlantikut dhe gjithashtu në 5-2 në prill 1963, përsëri në “Copa Roca”. Ndërkohë që Argjentina do të mundte përsëri Brazilin në këtë stadium në vitin 1998, gati 40 vjet pas duelit të parë në këtë stadium.
Braziliani dhe Argjentina do të viheshin përballë tyre në të njëjtën skenë në vitin 2021, kur në korrik 2021, fitorja 1-0 e Albiceleste, para vetëm 5,000 tifozëve (për shkak të masave kundër Covid-it), i siguroi Lionel Mesit titullin e tij të parë me kombëtaren argjentinase, Kupën e Amerikës.
Diniz – Argjentina ishte kokëçarja më e madhe në epokën e Tites, përgjegjëse për tre nga gjashtë humbjet që ish-trajneri pati në krye të Brazilit. Nëse Brazili nuk e ka mundur rivalin e tij kryesor që nga korriku 2019, tekniku në detyrë, Fernando Diniz, mund të jetë zgjidhja. Vetëm pak ditë më parë, nën drejtimin e Fluminenses (Brazil) në “Maracana” ai mundi Boka Xhuniorsin (Argjentinë) në finalen e Kupës Libertadores.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL