Me mbylljen e merkatos shumë lojtarë që dikur shkëlqenin kanë ngelur pa skuadër.
Prestigjozja spanjolle “Marca” ka bërë një artikull për 20 lojtarët më të mirë që kanë ngelur pa skuadër këtë sezon.
- Roberto Torres
Pas thuajse një jete të kaluar te skuadra e Osasunës, Roberto Torres zgjodhi që në janar të 2023 të vazhdonte një aventurë të re në Iran. Por pas vetëm 13 ndeshjes të luajtura me Fulad, mesfushori spanjoll ndërpreu kontratën me skuadrën aziatike dhe në moshën 34-vjeçare e sheh veten pa skuadër.
- Niko Shulz
Korrikun e kaluar, Borusia e Dortmundit i ndërpreu kontratën Niko Shulz, pasi ky i fundit ishte nën hetim për dhunë. Mbrojtësi i krahut i cili i kushtoi klubit gjerman plot 25 milionë euro në vitin 2019, nuk ka luajtur për pothuajse një vit të tërë. Vlera e tij në merkato ka shkuar nga 20 milionë euro që kushtonte kur firmosi për Dortmundin në 1 milionë eruo.
- Shkodran Mustafi
Në moshën 31-vjeçare, Shkodran Mustafi është një nga lojtarët më të mirë, i cili është pa skuadër. Kampioni i Botës me Gjermaninë ka luajtur më shumë se 150 ndeshje me Arsenalin dhe më shumë se 80 me Valencian. Pasi la Levanten, mbrojtësi me origjinë shqiptare tashmë mund të firmosë me cilën skuadër të dojë.
- Serxhio Asenjo
I rritur në akademinë e Real Vajadolidid, Asenjo ka luajtur dhe për skuadra si Malaga, Atletiko Madrid dhe Vijareal. Portën e kësaj të fundit ai e ka mbrojtur për plot 9 vite, përpara se të transferohej sërish te Vajadolid. Gjithsesi kontratën me këtë të fundit e ndërpreu këtë verë dhe tashmë është sërish një lojtar i lirë.
- Raxha Naingolan
Mesfushori belg ka qenë një nga lojtarët më karizmatikë në futbollin italian në vitet e fundit. Me më shumë se 360 ndeshje në Serinë A, më shumë se 200 me Romën dhe 188 me Kaljarin, Naingolan është pa skuadër pasi u largua nga SPAL.
- Xhoshua Gulavogi
I transferuar nga Atletiko e Madridit për 10 milionë euro në verën e 2013, Gulavogi luajti vetëm 7 ndeshje me “El Colchoneros”. Me më shumë se 260 ndeshje për Volfsburgun, francezi e sheh veten pa skuadër këtë sezon.
- Viktor Ruiz
Me një karrierë të gjatë në Spanjë, ku ka luajtur për Espanjolin, Valencian, Vijarealin dhe Real Betis, Viktor Ruiz e sheh veten këtë sezon pa skuadër. Së fundmi mbrojtësi spanjoll ka nisur bisedimet me Granadën.
- Roberto Soriano
I rritur në akademinë e Bajernit, Soriano ka luajtur më shumë se 70 ndeshje me skuadrën e Vijarealit. pas disa sezonesh ku ka qenë i rëndësishëm për Bolonjën, lojtari është larguar nga futbolli italian dhe tashmë është pa skuadër.
- Zuhair Fedal
Për tre sezone, mbrojtësi maroken ka qenë tejet i rëndësishëm për Real Betisin. Së fundmi Fedal i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin turk dhe tashmë është në kërkim të një skuadre të re.
- Hoze Kampanja
I kufizuar nga dëmtimet e shumta, Kampanja është një lojtar i lirë këtë sezon pasi e mbylli me Levanten. Ai është rritur në akademinë e Seviljas dhe ka kërkuar që të rikthehet sërish në “Ramon Sanchez Pizjuan”.
- Papu Gomez
Pasi e mbylli me Seviljan, shumë skuadra europiane kanë shfaqur interes ndaj Papu Gomezit. Edhe pse në moshën 35-vjeçare, argjentinasi vazhdon të tërheqë një vëmendje të madhe. Fatkeqësisht për Seviljan, Gomez nuk e arriti kurrë formën që ai pati me Atalantën në Itali, ku shënoi 59 gola dhe dha 72 asiste.
- Santi Mina
Me 150 ndeshje të luajtura për Valencian dhe 163 me Selta Vigon, sulmuesi spanjoll ka shënuar 84 gola me të dyja klubet e La Ligës. I dënuar me burg për sulm seksual, aventura e fundit e sulmuesit spanjoll ishte në Arabinë Saudite, teksa ai është pa skuadër.
- Musa Marega
Sulmuesi afrikan u kthye në një yll te Porto ku luajti në 190 ndeshje dhe shënoi më shumë se 100 gola. në dy sezonet e fundit Marega luajti në radhët e Al-Hilal në Arabinë Saudite. Gjithsesi pas mbërritjes së shumë yjeve në skuadrën arabe, klubi vendosi që mos t’ia rinovonte kontratën.
- Zhën-Filp Gbamin
Mesfushori afrikan mori një vëmendje të madhe pasi u transferua te Evertoni në vitin 2019 për 25 milionë euro. Gjithsesi ai nuk arriti të shkëlqente as në Angli as në Spanjë, teksa dy sezonet e fundit i ka luajtur si i huazuar te Trabzonspori, teksa tashmë është pa skuadër.
- Aleiks Vidal
Me një të shkuar te Almeria, Espanjol, Sevilja ose dhe Barcelona, Aleiks Vidal është tashmë një lojtar i lirë. Gjithsesi ai vazhdon të ketë ende një interes duke në Spanjë, duke parë eksperiencën që ka pasur në La Liga.
- Xeka
Me një vlerë në merkato prej 6 milionë eurosh, Xeka është futbollisti i tretë nga “Transfermarkt”, si më të shtrenjtët nga ata që janë pa kontratë. Edhe pse pa skuadër, sipas “Marca”-s, 28-vjeçari mund të jetë një zgjedhje e mirë për shumë skuadra.
- Xhesi Lingard
Me më shumë se 230 ndeshje të luajtura për Mançester Junajtid, 30-vjeçari mund të jetë ende një zgjedhje e mirë për shumë klube angleze. Këtë gjë e tregoi te Uest Hemi, por sezoni i fundit me Notinghemin nuk ishte aq i suksesshëm.
- Usama Idrisi
Sulmuesi maroken, i cili u quajt si një nga talentet më premtues të futbollit, është padyshim një nga blerjet më të dështuara të Seviljas në vitet e fundit. Së fundmi ai ka ngelur pa skuadër, teksa ka interesime të shumta nga Spanja dhe Turqia.
- Eden Hazard
Padyshim një nga dështimet më të mëdha në historinë e Realit të Madridit. Sulmuesi belg erdhi nga Çelsi në verën e vitit 2019 për 100 milionë euro dhe nuk arriti të shkëlqente në asnjë moment, duke i zhgënjyer në maksimum tifozët “los blancos”. Prej dy muajsh ai është pa skuadër, teksa interesi nga Anglia nuk mungon.
- David De Gea
Portieri spanjoll mban kurorën e lojtarëve pa skuadër këtë sezon. De Gea ka mbrojtur portën e Mançester Junajtid për shumë vite, duke qenë padyshim një nga lojtarët më të mirë të “Djajve të Kuq”. Gjithsesi Ten Hag nuk e kishte në plane gardianin dhe prej dy muajsh është pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Mançester Junajtid.
Përgatiti: JON LUMANI – PANORAMASPORT.AL