Shahtjor Donjecku është detyruar të sqarojë se Jyrgen Klop nuk po punon për klubin. Trajneri gjerman ka nisur të shijojë pushimet e tij që nga largimi nga Liverpuli në fund të sezonit të kaluar.
Megjithatë, një foto ishte bërë virale në rrjetet sociale, ku tregonte një person që i ngjante shumë gjermanit, i cili ishte veshur me uniformën e klubit ukrainas. Por në foto ishte masazhatori i Shahtjorit, i cili ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me legjendën e “reds”-ave. Njeriu në fjalë quhet Ihor Grshkoviç dhe klubi tashmë ka sqaruar se ai nuk është vërtet Klop.
Klubi postoi foton e masazhatorit me një mesazh shoqërues: “Jo, nuk është Jyrgen Klop. Është masazhatori ynë Ihor Grshkoviç”.
Vetëm pak ditë më parë Klop e ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi të shpejtë në stol pas largimit nga Liverpuli dhe nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Anglisë. “Nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Nuk ka rëndësi kush më telefonon. Në deklaratën time të dorëheqjes, thashë që nuk do të drejtoj asnjë kombëtare apo klub për një vit. Disa njerëzve duhet t’u ketë shpëtuar ajo pjesë. Të nesërmen dikush më telefonoi dhe i thashë: ‘A je i çmendur? Sapo e shpjegova atë dje’. A do të jetë përsëri një trajner? Unë në fakt do ta përjashtoja këtë për momentin. Ne do të shohim se si do të duken gjërat pas disa muajsh. Tani për tani, nuk ka asgjë konkrete”.
PANORAMASPORT.AL