Wednesday, 30. September 2026
Sport

Nufi nga Kasharaj: Forcat e Armatosura në terren, vijon operacioni për pastrimin e rezervuarit

GS 30/09/2026 2 Min. Lesezeit

Ministria e Mbrojtjes ka nisur një operacion në terren për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, ku pas zbrazjes së tij janë konstatuar mijëra peshq të ngordhur si pasojë e mungesës së ujit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me efektivë të Policisë Ushtarake, ka inspektuar nga afër situatën në rezervuar, ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve lokale dhe strukturave të Emergjencave Civile për pastrimin e zonës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Nufi bëri të ditur se efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura po veprojnë në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë për të përballuar pasojat e krijuara.

“Efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura po angazhohen bashkërisht me strukturat bashkiake në operacionin për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharajt. Në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA”, shkruan ministri.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operacioni synon pastrimin e plotë të rezervuarit dhe eliminimin e pasojave të shkaktuara nga ngordhja masive e peshqve, ndërsa puna në terren po vijon me intensitet.

Autoritetet bëjnë të ditur se Forcat e Armatosura do të qëndrojnë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile.

/rtsh.al/

Teilen: