Nesër zyrtrarisht fillojnë emocionet e Kampionatit Evropian, ndërsa Shqipëria ballafaqimin e parë do ta ketë me Shqipërinë me datën 15 qershor.
Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse për herë të dytë në histori të saj si Kombëtare në Kampionate Evropiane dhe do të kenë punë të vështirë në fazën e grupeve aty ku në grupin që është cilësuar si “i vdekjes” do të ballafaqohet me skuadra si, Spanja, Italia dhe Kroacia.
Një nga surprizat e listës së lojtarëve të ftuar nga Sylvinho padyshim ishte edhe mesfushori i ri, Medon Berisha.
Familjari i tij, saktësisht djali i xhaxhait të Medon Berishës, Flamur Berisha në një intervistë për GazetaBlic Sport ka rrëfyer emocionet e familjes në momentin kur morën lajmin që Medon Berisha do jetë pjesë e Shqipërisë për “Euro 2024”.
Sipas tij edhe për familjen dhe vet lojtarin ishte befasi grumbullimi i tij nga Sylvinho pasi siç thotë ai, Medon Berisha ishte kapiten i grupmoshave U21 dhe kishte rol të rëndësishëm për kampanjën e ‘kuqezinjëve të rinj’.
“Ftesën e trajnerit Sylvinho për Medonin e kemi mirëpritur me shumë emocione. Të them të drejtën, nuk prisja një ftesë të tillë, pasi Medoni ishte kapiten i Shqipërisë U21 dhe kishte obligime për kualifikime“, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.
Flamur Berisha u shpreh i bindur se Medon Berisha do të shpërblejë trajnerin, Sylvinho nëse ky i fundit i jep mundësi dhe minutazh gjatë “Euro 2024”.
“Jemi shumë krenarë për arritjet e Medonit dhe shpresojmë se si një 20-vjeçar, do të arrijë majat e suksesit në të ardhmen. Normalisht, presim gola nga ai. Nëse trajneri i jep minutazh në lojë, jam i bindur se do të shënojë gol siç di ai.
Besoj se Medoni do të jetë zbulimi i këtij kompeticioni sivjet! Ai është një mesfushor ofanziv që premton shumë në të ardhmen, si në nivel klubesh ashtu edhe në kombëtaren tonë. Me aftësitë dhe përkushtimin e tij, ai pritet të bëhet një ndër lojtarët kyç të kombëtares sonë“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/