Trajneri Qatip Osmani ka mbetur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve për gjatë fazës së përgatitjeve, ku skuadra e Struga Trim Lum ka zhvilluar edhe katër ndeshje kontrolluese.
Edhe pse në disa momente, në disa prej ndeshjeve skuadra strugane kishte hasur edhe në disa gabime, strategu tetovar beson se deri në ditën e zhvillimit të ndeshjes, edhe ato pak gabime do të evitohen dhe se të gatshëm do të futen përballë Sllovan Bratisllava.
Ndeshjen e parë kundër kampionëve sllovak, kampionët e Struga Trim Lum do ta zhvillojnë në transfertë me datë 10 korrik, me fillim në ora 19:00
“Gjatë fazës përgatitore kundrejt stërvitjeve që kishim, neve kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, e ku për qëllim kishim përgatitjen fizike të skuadrës. Në përgjithësi jam i kënaqur nga angazhimi i futbollistëve si në seancat stërvitore, ashtu edhe në ndeshjet që kemi zhvilluar, ndaj mendoj se të gatshëm presim ndeshjen e parë me Sllovan Bratisllavën.”
Miqësoret…
“Sa u përket ndeshjeve miqësore, kemi parë që kemi bërë edhe gabime që shfaqen edhe vetvetiu për shkak lodhjes dhe periudhës jo aq të përshtatshme për ndeshje futbolli. Më gëzon fakti që lojtarët kanë dhënë maksimumin edhe në këto ndeshje miqësore, duke mos e ulur aspak intensitetin e punës. E gjithë kjo vetëm e vetëm sa më të gatshëm të presim duelin me Sllovan Bratisllava.”
Përforcimet e reja…
“Jam i kënaqur me angazhimin si nga futbollistët e ri, ashtu edhe nga ato që veçmë i kemi pasur në skuadër. Sa u përket përforcimeve të reja, mund të them se jam shumë i kënaqur me angazhimin e tyre dhe dua të falënderojë kryesinë për këtë punë të shkëlqyer dhe mundësinë të punojmë me futbollistë profesionistë.
Disave prej tyre ende ju nevojitet kohë, mirëpo në përgjithësi edhe ata me profesionalizmin që kanë në zemër, janë munduar në maksimum që të ambientohen me rrethin dhe skuadrën në përgjithësi, ashtu që mendoj se mund të arrijmë shumë gjëra të mira si skuadër.”
Kundërshtari…
“Sigurisht që e kemi analizuar kundërshtarin, kemi informata edhe nga ndeshjet e tyre miqsore të këtij edicioni, të disa prej ndeshjeve nga sezoni i fundit në kampionat, por edhe sezonit të kaluar në Europë.
Nuk duhet shumë fjalë harxhuar për kundërshtarin që kemi përballë, ata janë një skuadër shumë e mirë, një skuadër që gjithnjë luan në Europë, shumë herë kampion i Sllovakisë, megjithatë edhe neve kemi kualitetet tona, dhe përmes asaj që posedojmë dhe dimë ta bëjmë më së miri, do të mundohemi që në Bratisllavë të nxjerrim një rezultat pozitiv, që do na jepte më shumë shpresa për ndeshjen e kthimit këtu në Ohër.”
Ndeshjen në Ohër kundër Sllovan Bratisllava, skuadra strugane do ta zhvillojë me datë 17 korrik me fillim në ora 17:00.