Wednesday, 11. November 2026
Sport

Paneli i Premier Ligës: Isakut duhej t’i jepej penallti ndaj Arsenalit

GS 11/11/2026 2 Min. Lesezeit

Paneli për Incidentet Kryesore të Ndeshjeve në Premier League (KMI) ka vlerësuar se Liverpooli duhej të kishte fituar një penallti në humbjen 1:0 ndaj Arsenalit, pas një incidenti që përfshiu Alexander Isakun dhe Jurrien Timber.

Incidenti ndodhi në zonën e Arsenalit, kur mbrojtësi holandez i tërhoqi fanellën sulmuesit suedez, duke e penguar atë të arrinte topin dhe të tentonte goditjen me kokë.

Linku i videos.

Gjyqtari Andy Madley lejoi vazhdimin e lojës, ndërsa VAR-i, me Stuart Attwell në detyrë, e shqyrtoi situatën, por nuk rekomandoi që gjyqtari të shkonte te monitori për ta rishikuar vendimin.

Megjithatë, sipas vlerësimit të KMI Panel, vendimi duhej të ishte ndryshe.

Me votim 4-1, paneli vlerësoi se penalltia duhej të jepej direkt në fushë, ndërsa me votim 3-2 u konsiderua se VAR-i duhej të ndërhynte dhe ta dërgonte Madleyn te monitori anësor.

Trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, reagoi pas incidentit, duke theksuar se Isak nuk duhej të detyrohej të rrëzohej për të fituar penalltinë.

“Ka një tërheqje të qartë të fanellës. Alex ishte pikërisht përpara tij. Ai do të godiste me kokë para portës, por nuk mundi sepse iu tërhoq fanella. Nëse bie në tokë, e japin penalltinë, 100 për qind.”

Trajneri vazhdoi me një deklaratë mjaft të fortë për mënyrën se si gjyqtarët i interpretojnë situata të tilla.

“Hera tjetër, trajnerët duhet t’i thonë Alexit të bjerë në tokë, përndryshe nuk do ta japin penalltinë. Përgjigjja është se duhet të simulosh. Nëse nuk simulon, nuk ta japin.”

Teilen: