Saturday, 12. September 2026
Sport

Partizani-Dinamo në RTSH, Daja: Derbi i kishte të gjitha, mundëm një rival

GS 12/09/2026 1 Min. Lesezeit

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur për emisionin “Super Gol” në RTSH pas fitores 4-2 në derbin ndaj Partizanit. Tekniku i “bluve” thotë se derbi i ka kënaqur të gjithë sportdashësit, pasi kishte gjithçka dhe se është i kënaqur që fitoi përballë një rivali direkt si Partizani.

“Besoj se ata që ishin në stadium ata që kanë parë ndeshjen, qoftë tifozët e Dinamos, apo sportdashësit, kanë parë një derbi me të gjitha brenda. Ne jemi kënaqur më shumë se dihet që Partizani është një nga rivalët dhe ka kontingjent goxha të mirë lojtarësh.

Jemi në javën e tretë rresht që shkojmë te fitorja, kemi mungesa për shkak të ngarkesave në Europë, besoj që me afrimin edhe të disa lojtarëve do na ndihmojnë, do shtojnë cilësinë e rivalitetin brenda grupit.

Ne në fillim e morëm pak lehtë ndeshjen se pamë që Partizani ishte më agresiv në dyluftime, fusha sintetike do një lloj sakrifice tjetër, gjë që nuk e kishim në fillim. Këto elementë na e bënin të vështirë të dilnim”, ka thënë mes të tjerash Daja.

Teilen: