Hervé Renard është bërë një idhull në Arabinë Saudite falë rezultateve të shkëlqyera që ka arritur në krye të kombëtares. Me trajnerin francez, “Shqiponjat e Gjelbra” arritën të mposhtnin Argjentinën në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2022 në Katar, duke i shkaktuar ekipit që do të shpallej kampion bote humbjen e vetme. Pas një periudhe të shkurtër si trajner i kombëtares franceze të femrave, Renard pranoi të rikthehej më 26 tetor, duke pasuar Roberto Mancinin.
Pas një fillimi të dobët në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, sauditët shpresuan të rikthenin buzëqeshjen duke ftuar përsëri një trajner shumë të dashur, por gjërat nuk shkuan siç pritej. Arabia Saudite u detyrua të kënaqej me një barazim kundër Australisë më 14 nëntor (0-0), përpara se të humbiste ndaj Indonezisë (0-2) pesë ditë më vonë.
Dje, ata e nisën keq edhe Kupën e Gjirit, duke humbur 3-2 kundër Bahreinit:
“Një fillim i keq për ne, e uroj ekipin e Bahreinit për rezultatin. Kur nuk ke lojtarë të rëndësishëm që nga fillimi, nuk duket e lehtë,” theksoi Renard.
“Ka momente në futboll kur gjendesh në situata të tilla dhe duhet të bësh diçka. Kam mbërritur dy muaj më parë dhe duhet të kujtojmë Kupën e Gjirit të vitit 2019 në Katar: e filluam turneun me një humbje dhe arritëm në finale. Në këtë moment duhet të jemi të bashkuar: në fillim të përvojës sime të parë, barazuam me Jemenin dhe humbëm kundër Kuvajtit dhe, siç thashë, punuam dhe gjetëm zgjidhje. Nuk do t’ju gënjej, situata nuk është e mirë dhe duhet të punojmë intensivisht për të përmirësuar rezultatet.”