Pentathtlon Modern tashmë është kthyer në një ekskluzivitet të zakonshëm për rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror të kalimit me pengesa, që është duke u zhvilluar në Pekin të Kinës. E enjtja ka qenë për distancën 400 metra në kategorinë e moshave U-15, Junior, Elitë dhe Senior.
Në kategorinë e moshës deri në 15 vjeç, si për femra, ashtu dhe për meshkuj kanë dominuar konkurrentët rus, ndërsa Kuznetsova dhe Prokudin ishin të artë. Për vajza të moshës deri në 15 vjeç medaljet e argjendta dhe të bronzta ishin për Erlij të Izraelit dhe Fontein e Filipineve. Kurse në të njëjtën grupmoshë, tashmë për djem, vendi i dytë dhe i tretë ishte për Vakrushev të Gjeorgjisë dhe Poplavski të Rusisë.
Sakaq Rusia do të ishte e artë dhe në kategorinë e elitës për femra, atje ku medalja e artë ishte për Sedovën, që la nga pas Khalil të Egjiptit dhe Himka të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një garë e kalimit me pengesa që nxorri në pah Izraelin, që ishte i artë në kategorinë senior si për femra, ashtu dhe për meshkuj. Që do të thotë se Gitler dhe Efrati morën medaljet e arta.
Tek femrat, gjithnjë për senior, e argjendta ishte për lituanezen Liutka, kurse e bronzta për konkurrentet nga Hong-Kongu, Lam. Tek meshkujt, sërish për senior, vendi i dytë dhe i tretë u nda mes Erdlit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe izraelitit Domakov. Një artë e tretë për Izraelin erdhi në kategorinë e elitës për meshkuj me Shrim Gal, që la nga pas Bekstrand të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sameash të Izraelit. Një e artë për Japoninë dhe në kategorinë e juniorëve, kjo me Jamamoton, ndërsa i argjendtë ishte Uashter i Gjermanisë dhe i bronztë Imai i Japonisë.
Botërori i Pentathlon Modern, kjo në kalimin me pengesa, vijon të premten me garën e 3 kilometrave, të shtunën në distancën 100 metra dhe të dielën me stafetën 4×100 metra. E gjithçka drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.