Manchester City mban ende gjallë shpresat për titullin në Premier League. Skuadra e “qytetarëve” do të luajë sot në fushën e Bournemouth, me fitoren të vetmin objektiv për të shtyrë festën e Arsenal dhe për të lënë gjithçka hapur në javën e fundit.
Trajneri Pep Guardiola, që në fundjavë fitoi FA Cup, reflektoi mbi kohën e tij te Manchester City dhe largimet e John Stones dhe Bernardo Silva nga klubi këtë verë.
“Gjëja e rëndësishme në jetën tonë është kur shikon prapa dhe thua: ‘Uau, mund të shikosh me një buzëqeshje të madhe dhe kjo është mirë’. Dhe, Bernardo e John mund ta ndiejnë këtë. Ne folëm për këtë në ditët e fundit dhe për atë që kemi jetuar”, tha spanjolli.
“Pra, kur je një gjysh i vjetër e shikon prapa edhe mund të qeshësh me kujtimet. Kjo është gjëja më e rëndësishme në jetë. Çfarëdo që të ndodhë në këtë pjesë të sezonit, edhe sikur ta zgjas kontratën time edhe për tre vjet, shikoj prapa dhe them, sa bukur ka qenë”, shtoi Guardiola.
Spanjolli ka pohuar se nuk është nervoz për faktin se gara për titullin e Premier League nuk është në duart e tij. Ai ka minimizuar ndjesinë e ndonjë nervozizmi dhe thotë se është i përqendruar në atë që mund të kontrollojë. “Emocionet janë normale. Është mirë ta kesh paksa këtë ndjesi, por është nën kontroll do të thoja“, tha Guardiola.
“Në fillimet e mia si trajner kisha më shumë ankth. Tani mbetet vetëm të përqendrohemi dhe të përgatitemi për atë që duhet t’u themi lojtarëve, me çfarë duhet të stërviten, cilët lojtarë duhet të përdoren, cilët lojtarë duhet të vihen në stol për të pasur një ndikim të mirë”, tha Guardiola.