Pas eliminimit nga Bayern Munich në çerekfinalet e Champions-it, për Real Madridin praktikisht ka nisur sezoni 2026-27. La Liga mbetet e hapur, me Barcelonën +6 pikë, por në “Casa Blanca” askush nuk beson realisht te titulli pa një kolaps historik të katalanasve.
Në qendër të analizave është Florentino Pérez. Ai ka folur me shumë njerëz brenda dhe jashtë klubit dhe, sipas burimeve, pranon dy gabime kryesore: afrimin e Xabi Alonso si trajner dhe sjelljen e shpejtë të Álvaro Arbeloa në ekipin e parë.
Emri i Vinicius ka dalë shpesh në diskutime, por presidenti është shprehur prerazi: “Kjo është punë e imja, ma lini mua”. Ai e sheh brazilianin si pasuri të klubit dhe beson se rinovimi i tij është i sigurt. Florentino beson gjithashtu se Vinicius dhe Kylian Mbappé mund ta udhëheqin të ardhmen e ekipit, duke u mbështetur te statistikat e francezit për të kundërshtuar kritikat.
Nuk e bind plotësisht as promovimi i shumë lojtarëve të rinj nga Arbeloa, sidomos kur investime të mëdha si Álvaro Carreras (50 milionë), Dean Huijsen (62.5) dhe Franco Mastantuono (45) mbeten në stol. Presidenti kërkon një trajner që të shfrytëzojë më mirë ekipin dhe kërkon përgjegjësi nga lojtarët për një sezon që po shkon drejt dështimit.