Real Madrid ka nisur procedura disiplinore ndaj dy lojtarëve të ekipit të parë, Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, pas një incidenti që ka ndodhur gjatë stërvitjes së mëngjesit.
Sipas klubit, ngjarja ka ndodhur në qendrën stërvitore dhe ka çuar në hapjen e hetimeve të brendshme disiplinore. Klubi ka bërë të ditur se vendimet përfundimtare do të merren pasi të përfundojnë procedurat përkatëse, transmeton lajmi.net.
Mediat raportojnë se incidenti ka filluar si një debat verbal mes dy futbollistëve, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike, duke kërkuar ndërhyrjen e bashkëlojtarëve dhe stafit për ta ndalur situatën. Raportohet gjithashtu se Valverde ka marrë edhe trajtim mjekësor pasi u godit në fytyrë nga Tchouameni.
Mesfushori nga Uruguai pas goditjes së marrë kishte humbur ndjenjat dhe pasi ishte zgjuar nuk i mbante mend disa gjëra që kishin ndodhur. Ai ishte larguar me karrocë mjekësore nga qendra stërvitore.
Pas ngjarjes, drejtori i përgjithshëm i klubit, José Ángel Sánchez, ka thirrur një takim urgjent për të diskutuar situatën dhe hapat e mëtejshëm brenda skuadrës.
Klubi do të informojë në kohën e duhur për vendimet përfundimtare të këtyre procedurave, pasi të përfundojnë proceset e brendshme përkatëse.”/lajmi.net/