Play-Off-i i NBA vazhdon të dhurojë emocione, me disa seri që mbeten plotësisht të hapura pas ndeshjeve të pesta të raundit të parë.
Në Lindje, Detroit Pistons arriti një fitore të madhe 116-109 ndaj Orlando Magic, duke ngushtuar serinë në 3-2. Protagonisti absolut ishte Cade Cunningham, i cili realizoi 45 pikë, rekord klubi në Play-Off, duke kaluar shifra historike të emrave si Dave Bing dhe Isiah Thomas. Nga ana tjetër, Paolo Banchero u përgjigj me të njëjtin numër pikësh, por nuk mundi të shmangë humbjen e ekipit të tij.
Ndërkohë, Cleveland Cavaliers mori një fitore të rëndësishme 125-120 ndaj Toronto Raptors, për të kaluar në epërsi 3-2 në seri. Donovan Mitchell dhe Evan Mobley ishin vendimtarë në momentet kyçe, ndërsa kontribut i rëndësishëm erdhi edhe nga Dennis Schroder në çerekun e fundit.
Në Perëndim, Houston Rockets mbeti në garë pasi mposhti 99-93 Los Angeles Lakers, duke e çuar serinë në 3-2. Jabari Smith Jr. udhëhoqi skuadrën me 22 pikë, ndërsa Alperen Sengun ishte pranë një “triple-double”. Për Lakers, LeBron James realizoi 25 pikë, por gabimet e shumta me topin rezultuan vendimtare. Rockets po vazhdojnë të befasojnë edhe pa Kevin Durant, i cili mungon për shkak të dëmtimit. Të gjitha seritë mbeten të hapura, me ndeshjet e gjashta që priten të jenë vendimtare për fatin e ekipeve që synojnë kalimin në raundin tjetër.