Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian dhe e cila u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka kaluar pas asnjë incident.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar sot për media.
“Mbarëvajtja e ndeshjes sportive “Kosova vs Izraeli”, në aspektin e sigurisë ka kaluar e qetë dhe pa incidente Ndeshja sportive, e luajtur mbrëmë, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit për kualifikime në EURO2024, vlerësuar në aspektin e sigurisë, ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident që ka cenuar sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e ndeshjes sportive. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me FFK-në dhe akterët relevantë, ashtu siç e ka bërë të ditur me kohë, ka bërë planifikimet e saja operacionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë që nga ardhja e kombëtares së Izraelit në Republikën e Kosovës e deri në kthimin e saj për në Izrael.”, thuhet në komunikatën e policisë.
Kosova mposhti Izraelin me rezultat 1-0 me golin e realizuar na Milot Rashica në pjesën e parë.