Benfica është në 10 vitet e fundit klubi më i mirë në botë sa i përket diferencës monetare mes shitjeve të lojtarëve dhe blerjeve, me të ardhura totale që kapin shifrën 665.94 milionë euro.
Kujtojmë se “shqiponjat” gjatë dekadës së fundit kanë fituar rreth 1.23 miliardë euro vetëm nga shitjet e futbollistëve, duke qenë liderë botërorë, përpara Monacos (1.14), Chelsea-t (1.13), Juventusit (1.10) dhe Dortmundit (1.03 miliardë euro të faturuara).
Sipas të dhënave të publikuara nga “Football Benchmark”, në renditjen e top-10 janë edhe tri klube portugeze: FC Porto, me 384.71 milionë euro të ardhura mes blerjeve dhe shitjeve; Sportingu me 353.2 milionë dhe Braga me 205.52 milionë.
Për sa u përket të ardhurave nga shitjet, sipas të dhënave të “Transfermarkt”, Benfica është klubi lider që nga viti 2013 me 1.23 miliardë euro më pas vjen Barcelona (me një miliard euro), Reali i Madridit (974.5 milionë), Atletico e Madridit (959.9), Roma (887.7) dhe Ajaxi (834.6 milionë), por ndryshe nga skuadra portugeze, gjigantët e Europës kanë shpenzuar më shumë për blerjet. Mjafton të merret në analizë bilanci i Chelsea-t, që është jashtëzakonisht negativ.
Nëse nga shuma totale e fituar nga shitjet zbritet shifra e shpenzuar për blerjet, Benfica mbetet e pakonkurrueshme. Pas Benficas, me bilancin më të lartë pozitiv është Ajaxi i Amsterdamit me +422.12 milionë.