Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 24 persona për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. Ndërkohë, gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur edhe 28 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë protestës janë dëmtuar edhe dy punonjës të uniformave blu, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të incidenteve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Procedimi penal ndaj 24 shtetasve është kryer nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë, pas veprimeve hetimore për ngjarjet e regjistruara gjatë tubimit.
Paralelisht, në bazë të pikës 2 të nenit 24/1 të Aktit Normativ, policia ka plotësuar 28 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë dy ditëve të fundit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe për dokumentimin e plotë të rasteve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.