Protesta e nisur që prej orës 11:00 të paradites në Tiranë është shoqëruar me përshkallëzim të tensioneve, akte dhune dhe dëmtime të shumta materiale. Protestuesit kanë shkaktuar dëme përgjatë aksit kryesor që lidh qendrën e kryeqytetit me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ata goditën dhe thyen kamera sigurie, semaforë dhe tabela reklamash përgjatë rrugës që lidh qendrën e Tiranës me Kryeministrinë.
Sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe bizneseve
Lëvizja e turmës ka përfshirë goditjen e një sërë godinash të institucioneve dhe ambienteve private. Veç Ministrisë së Arsimit dhe bizneseve në Rrugën e Durrësit, sulmeve nuk u ka shpëtuar as Piramida e Tiranës dhe institucionet qendrore.
Pjesëmarrësit në protestë sulmuan me radhë të gjitha institucionet shtetërore duke nisur nga Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit si dhe ndaj Bankës së Shqipërisë. Dhunës së protestuesve nuk i ka shpëtuar as Piramida në kryeqytet. Ata kanë thyer xhamat dhe sulmuar bizneset në brendësi.
Gjatë përpjekjeve për të sulmuar godinën e Kryeministrisë me lëndë piroteknike dhe shishe me lëndë djegëse, forcat e rendit kanë ndërhyrë për të mbrojtur perimetrin e sigurisë dhe për të shpërndarë turmën me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
/rtsh.al/