Finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, e cila ishte paraparë të zhvillohej më 15 shtator, është shtyrë.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Bordi i saj ka miratuar kërkesën zyrtare të Komunës së Rahovecit për shtyrjen e ndeshjes, e cila ishte planifikuar të zhvillohej nga ora 19:00 në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Sipas njoftimit të FBK-së, kërkesa për shtyrje është paraqitur për arsye teknike dhe organizative, me qëllim të sigurimit të kushteve të nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të finales.
Finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës tashmë është planifikuar të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, po në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Data dhe ora përfundimtare do të përcaktohen nga FBK-ja në koordinim me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahovecin 029, në cilësinë e klubit nikoqir.
Federata ka bërë të ditur se pas përfundimit të koordinimit me palët përkatëse, do të njoftohen klubet dhe opinioni publik për datën dhe orarin përfundimtar të zhvillimit të finales.
Ndërkohë, të gjitha biletat e blera për finalen e planifikuar fillimisht më 15 shtator do të mbeten të vlefshme edhe për datën e re të zhvillimit të ndeshjes.