Federata e Basketbollit të Kosovës ka miratuar me kusht aplikimin e KB Rahoveci 029 për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026.
Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, edicioni i ardhshëm i kësaj gare do të zhvillohet në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Megjithatë, për organizimin e eventit, klubi rahovecian duhet të përmbushë një sërë kriteresh të përcaktuara nga Federata. Rahoveci 029 është obliguar të garantojë përmbushjen e kërkesave organizative, teknike dhe të sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet financiare që burojnë nga organizimi i Superkupës.
Një çështje tjetër që do të rregullohet me marrëveshje është administrimi dhe destinimi i të hyrave nga shitja online e biletave. Këto detaje do të përcaktohen në kontratën që do të nënshkruhet ndërmjet FBK-së dhe klubit organizator.
Në kuadër të vendimit, Bordi i Federatës ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të FBK-së që të lidhë kontratën për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026 me KB Rahoveci 029.
Kështu, Rahoveci pritet të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të basketbollit kosovar në vitin 2026.