Manchester City ka reaguar pas publikimit të opinionit të Komisionit të Premier Ligës, duke shprehur zhgënjim dhe habi për vendimin.
Në një deklaratë zyrtare, klubi anglez ka insistuar se është i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Premier Liga dhe ka theksuar se posedon prova që, sipas tij, mbështesin qëndrimin e klubit.
“Klubi është i pafajshëm për akuzat e bëra nga Premier Liga dhe ekziston një sasi e plotë provash të pakundërshtueshme në mbështetje të të gjitha qëndrimeve të tij, në lidhje me këtë rast. Prandaj, Klubi do të jetë i paepur dhe, kur është e nevojshme, proaktiv në çdo forum të përshtatshëm rregullator dhe ligjor.”, thuhet në deklaratën e Cityt.
Klubi ka bërë të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët e mundshme të apelimit dhe procedurat ligjore e rregullative.
Manchester City pretendon se opinioni i publikuar përmban gabime të qarta materiale në aspektin ligjor, parimor dhe faktik, duke e konsideruar atë të pasigurt.
“Procesi i Premier Ligës mbetet në vazhdim, me elementë të rëndësishëm të papërfunduar. Manchester City FC tani do të ndjekë rrugët e apelimit që i janë hapur, mbi bazën se opinioni përmban gabime të qarta materiale, ligjore, parimore dhe faktike, dhe është i pasigurt. ”, thuhet më tej.
Klubi gjithashtu ka deklaruar se gjatë tetë viteve të fundit ka respektuar procesin e rregullt, duke pritur që organet drejtuese të Premier Ligës të vepronin si rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.
City ka shtuar se është i kufizuar në atë se çfarë mund të deklarojë më tej, deri në përfundimin e të gjitha procedurave të ardhshme.