Thursday, 5. November 2026
Sport

Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan, gjendet i pajetë nën rrënoja 69-vjeçari

GS 05/11/2026 2 Min. Lesezeit

Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan. Ka shkuar në dy numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm dhe zjarri që përfshiu një pallat 5-katësh në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit. Pas 82-vjeçares Hatixhe Berisha, e cila u gjet pa shenja jete gjatë pasdites së djeshme, është gjetur edhe trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro.

I moshuari ishte shpallur i zhdukur, pasi kishte humbur kontaktet me familjarët që prej mesditës së djeshme. Gazetarja e RTSH, bën me dije se trupi i tij u gjet rreth orës 01:30, nën rrënojat e pallatit.

Kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit vijuan për rreth 10 orë. Ndërkohë, që prej orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, shpresat për ta gjetur atë gjallë ishin shuar, pas kontrollit të ambienteve me kamera termike.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:45 të së mërkurës, në banesën e 69-vjeçarit, në katin e tretë të pallatit, duke u pasuar nga një zjarr i fuqishëm që përfshiu ndërtesën dhe shkaktoi dëme të rënda strukturore.

Përveç dy viktimave, 10 persona, mes tyre edhe fëmijë, janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Elbasanit, pasi kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe asfiksim për shkak të tymit të dendur.

Pallati ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, përfshirë shembjen e një pjese të katit të katërt dhe të shkallëve lidhëse, duke e bërë ndërtesën të pabanueshme.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të shpërthimit. Dyshimet paraprake janë për një bombol gazi, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e ngjarjes.

/rtsh.al/

Teilen: