Pas një sërë tentativash në disa akse, Bajerni i Mynihut ka finalizuar nënshkrimin e parë në merkaton e dimrit, fjala është për Erik Daier. Tomas Tuhel në pozitën e trajnerit e ka ngritur në piedestal përvojën e 29-vjeçarit anglez. Në vigjilje të duelit në mbrëmjen e sotme kundër Hofenhaimit, përveç anës taktikë dhe formës së ekipit, tekniku është shprehur edhe për vdekjen e Franc Bekenbauerit.
“LAMTUMIRA E ‘KAIZERIT’”- “E kam takuar vetëm dy herë dhe bisedat kanë qenë tepër të shkurtra. Më ka lënë mbresa në sjelljen e tij miqësore. U ndjeva sikur ta kisha pjesëtar të familjes. Ai ka prekur zemrat e dashamirësve të futbollit në çdo cep të botës, teksa la gjurmë të mëdha emocionale me veprat në fushën e blertë. Ajo që Franc Bekenbauer arriti, rezultoi e pabesueshme. Meriton respektin më të lartë. Gjej rastin të vlerësoj edhe Otmar Hicfeld. Një tjetër legjendë e Bajernit. Përpara zyrës time gjenden disa dokumente origjinale të Bekenbauerit dhe Hicfeld. Do të jetë e vështirë për t’i imituar në stafetën e trajningut. Të dy, zotërinjtë të vërtetë”, tha Tuhel.
FIRMOSJA ME DAIER- “Erik ka marrë nuancën e plotë të një mbrojtësi specialist. E kam nuhatur prej kohësh gjurmimin e tij në fushë dhe më ka bindur se mund të kontribuoj, jo vetëm në qendër të mbrojtës me 4 lojtarë në prapavijë, por edhe rreshtimin me 3 shtylla para portës. Po ashtu, Daier pa problem manovrohet edhe në mesfushë. Kualiteti dhe përvoja janë tepër të rëndësishme në realizimin e objektivave, kur presioni rritet dhe shkalla e vështirësi avancon”.
RIVALI- “Pres që Hofenhaimi të prezantohet në vijën e mbrojtjes me 3 ose 5 futbollistë. Dinamizmi mbizotëron në lojën e tyre, kështu që ne duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm në krijimin e hapësira përpara. Miqtë janë të aftë të kërcënojnë si në veprime individuale, sikurse si një trup i vetëm. Pres një ndeshje të dyluftuar, marrë në konsideratë prirjen e trajnerit Pelegrino Mataraco”, vijoi “timonier” i klubit më të titulluar në Gjermani.
GRUPI- “Kingsli Koman ka pushuar mjaftueshëm dhe i është rikthyer formës së përshtatshme në stërvitje, pas problemeve me shtyllën kurrizore, kështu që supozoj se ai do të jetë në fushë. Aleksandër Pavloviç ka ecuri mirë me seancat përgatitëse dhe jep shpesa, ndonëse mesfusha është thuajse e plotë. Kemi përfshirë edhe lojtarë të rinj. Gjithsesi, nuk e kam vendosur përfundimisht 11-en titullare”.
PRETENDENTËT- “Përveç Bajer, Leverkusen, Lajpcig dhe Shtutgart për asnjë moment nuk janë lënë jashtë nga ana ime për çështjen ‘titull’. Në këtë fazë të kampionatit shpresoj dhe besoj se do të realizojmë përparim me presion total dhe jo me intervale. Qëllimi është më se i qartë, mbrojtja e trofeut në Bundesligë”, përfundoi Tomas Tuhel.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL