Wednesday, 6. May 2026
Sport

Rrahmani përsëri vendimtar, Priske me fjalë të mëdha

GS 11/08/2025 2 Min. Lesezeit

Albion Rrahmani po vazhdon të shkëlqejë në fillimin e këtij sezoni me Sparta Pragën.

Sulmuesi ishte përsëri protagonist, duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Sigma Olomouc dhe duke i dhuruar tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij.

Rrahamani gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 56’, duke zhbllokuar rezultatin dhe kaluar në avantazh Spartën.

Ky ishte goli i tretë i Rrahmanit në po aq ndeshje të kampionatit, një statistikë mbresëlënëse që tregon formën e lartë dhe efikasitetin e tij para portës.

Me këtë ritëm, ai po tregon se mund të jetë jo vetëm një lider në fushë, por edhe një garanci për gola gjatë gjithë sezonit.

Trajneri i Spartës, Brian Priske, në deklaratën pas ndeshjes, e vlerësoi lart paraqitjen e lojtarit të tij, duke theksuar se përvoja dhe qetësia e Rrahmanit janë arma të fuqishme në momentet vendimtare.

“Sigurisht, ai e ka mësuar këtë për shumë vite dhe ende po punon me veten. Përfundimi i tij është shumë i mirë, e pamë sezonin e kaluar dhe këtë sezon. Ai është mjaftueshëm i pjekur për të përdorur përvojën e tij. Kur arrin te porta e kundërshtarit, është shumë i qetë, i sigurt dhe i shkëlqyer”, deklaroi Priske.

Me formën që po tregon, sulmuesi kosovar jo vetëm që po fiton besimin e trajnerit dhe tifozëve të Spartës, por po dërgon një mesazh të qartë se mund të jetë ndër golashënuesit më të mirë të ligës këtë sezon.

Teilen: