Zinedine Zidane ka folur për të ardhmen e tij si trajner gjatë Festivalit të Sportit në Trento, ku ka pranuar se dëshiron të kthehet në pankinë, pa përjashtuar mundësinë për të drejtuar Juventusin, por duke e bërë të qartë se synimi i tij kryesor është Kombëtarja e Francës pas epokës së Deschamps.
“Sigurisht që do të kthehem si trajner,” – tha Zidane, i cili është pa ekip që nga viti 2021. – “Unë tek Juventusi? Nuk e di pse nuk ka ndodhur asnjëherë. Është një klub që e kam gjithmonë në zemër, sepse më ka dhënë shumë. Për të ardhmen nuk e di, por një nga objektivat e mi është të drejtoj Kombëtaren franceze. Do të shohim.”
Nga Lippi te Ancelotti: mësimet e mëdha të karrierës
Zidane foli edhe për vendimin e tij për t’u bërë trajner pas përfundimit të karrierës si futbollist:
“Kur e lashë futbollin, më ndryshoi jeta. Pas tre vjetësh nuk e dija çfarë të bëja, provova shumë gjëra derisa u regjistrova në kursin për trajner. Nga të gjithë trajnerët që kam pasur, më shumë kam mësuar nga Marcello Lippi. Ishte shumë i rëndësishëm për mua, sepse kur shkova në Itali në fillim ishte e vështirë, por ai gjithmonë besoi tek unë.”
“Ancelottin fillimisht e pata si trajner, pastaj u bëra ndihmësi i tij. Ai është mik, shumë i rëndësishëm për karrierën time. Ishte trajner i mirë sepse dëgjonte lojtarët.”
“Trajneri vlen 80% të suksesit të një klubi”
“Për mua trajneri ka 80% të peshës në një klub,” – shpjegoi Zidane. – “Sigurisht, unë kam pasur lojtarë fantastikë si Ronaldo, Benzema, Kroos, Isco, Modric… nuk e humbnin kurrë topin në stërvitje. Ndoshta Cristiano e humbiste ndonjëherë, por shënonte gola të pabesueshëm.”
Zidane rrëfeu edhe një kuriozitet:
“Kur luaja unë, duhej të vinte edhe Totti tek Juventusi, e ka thënë vetë ai. Por në vend të tij erdhi Cassano. Kam luajtur me të dhe ishte i shkëlqyer, meritonte të luante më shumë. Nuk është e vërtetë që bënte vetëm rrëmujë.
Skuadra rivale që më ka impresionuar më shumë ka qenë Milani i holandezëve dhe i Sacchi-t.”
“Pasioni është çelësi për një trajner”
“Një trajner duhet të ketë pasion të madh për futbollin. Nuk është i mirë vetëm ai që fiton, ka shumë trajnerë të mirë që ndoshta nuk fitojnë dot. Gjëja më e rëndësishme për mua është t’u përcjellësh diçka lojtarëve. Kur e ndien me pasion, atëherë diçka transmeton gjithmonë.”
Kujtimet te Juventusi
Ish-ylli francez foli me nostalgji për periudhën e tij me Juventusin (1996–2001):
“Ato vite kanë qenë të mrekullueshme. Erdha nga Franca, ku futbolli ishte i bukur, por jo si tek Juventusi. Në Torino kuptova se aty duhej vetëm të fitoje, gjithmonë, në shtëpi apo jashtë. Ajo që më ka mbetur më shumë nga avokati Agnelli është që kur luaja mirë, më telefononte në 6 të mëngjesit për të më përgëzuar. Ishte një zotëri i vërtetë, shihej që e adhuronte futbollin.”
“Del Piero? Ishte fantastik, një nga lojtarët më të mirë në Itali. Kam pasur fatin të luaj 4-5 vite me të dhe me shumë të tjerë. Kemi pasur një skuadër vërtet të fortë, por Del Piero kishte diçka të veçantë.”
Misteri i Juventusit me Champions-in
“Champions League është shumë e vështirë për t’u fituar. Ne arritëm dy herë në finale dhe humbëm (në ’97 kundër Dortmundit dhe në ’98 kundër Real Madridit). Nuk e di pse ndodhi, ndoshta varet edhe nga klubi, nga ambicia. Për ta fituar Champions-in duhet shumë.”
Nga Juventusi te Reali: historia e ‘bigliettinos’
“Ishim në një gala në Monte Carlo dhe gjatë darkës Florentino Pérez më dërgoi një copë letër ku shkruante nëse doja të shkoja te Reali. Pas pesë vitesh tek Juventusi mendova: ‘ose tani, ose kurrë’, dhe pranova. Nuk është e vërtetë që lojtarë si Figo nuk më pasonin topin, e merrja plotësisht. Te Reali më pas erdhi lojtari që më pëlqente më shumë nga të gjithë: Ronaldo Fenomeni. Në stërvitje bënte gjëra të pabesueshme. Më thoshte: ‘tani do të të bëj dy tunela’, dhe i bënte vërtet.”
“Numri 10” që mungon sot
“Është e vërtetë që sot mungojnë lojtarët që marrin topin mes linjave. Nëse do të luaja sot, në fazën mbrojtëse do të bëja atë që më kërkon trajneri, por në sulm do të ndiqja instinktin tim, do të krijoja lojë. Gjithsesi, ka ende shumë lojtarë të mirë.”
“Idhulli im ishte Enzo Francescoli, më bënte të më dridheshin duart. Por sot nuk mund të përmend vetëm një emër. Do të thosha Yamal. Yildiz më pëlqen, por duhet të rritet ende. Juventusi me Igor Tudor-in, që e njoh mirë, po bën një punë të mirë dhe jam i lumtur për të dhe për klubin.”