Tuesday, 27. October 2026
Sport

Rruga e Ndroqit, Karakaçi: Firmoset kontrata për 9 kilometra, financim edhe për segmentin drejt Durrësit

GS 27/10/2026 3 Min. Lesezeit

Punimet për vijimin e aksit Kombinat–Ndroq–Plepa pritet të avancojnë pas përfundimit të lotit të parë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se është finalizuar kontrata për 9 kilometrat e tjerë, ndërsa segmenti prej 10 kilometrash drejt Plepave në Durrës, ka siguruar financimin dhe pritet t’i nënshtrohet procedurës së konkurrimit.

Sipas ministrit, autoriteti po përmbyll dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e procedurës së konkurrimit deri në mesin e muajit nëntor.

“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe tashmë e ka marrë dhe dorëzimin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Ndërsa, po ashtu, që është element i rëndësishëm për shkak të rëndësisë që ka ky segment rrugor, është edhe 10 kilometërshi që të çon deri në Durrës në Plepa, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit. Pra, kemi një segment tashmë kombinate Plepa, i cili është i financuar, 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar kontratat dhe 10 kilometra pasues që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapim procedurën konkurruese”, tha Ministri.

Sipas ministrit, aksi Kombinat–Ndroq–Plepa ka rëndësi për qarkullimin e automjeteve, pasi përbën një alternativë lidhëse drejt Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i lëvizjeve drejt bregdetit rritet.

“Pse është i rëndësishëm ky segment? Sepse, së pari, është një rrugë alternative që çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. E dyta, këtu kemi një zonë bujqësore dhe është edhe më e thjeshtë dhe më e shpejtë tashmë aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin, por po ashtu kjo është një zonë piktoreske. Bëjmë dhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Teilen: