AC Milan këtë verë nuk kishte planifikuar një rivendosje totale. Megjithatë, ashtu ndodhi. Nga drejtuesit, te stafi teknik e deri te lojtarët, ndryshimet ishin të dukshme.
Në fillim, ideja e një “reset-i” të plotë nuk ishte në tavolinë. Por ndjenja e përgjithshme brenda klubit ishte se një fillim i ri ishte i domosdoshëm. Sot, kuqezinjtë kanë një drejtor sportiv të ri, një trajner të ri dhe disa titullarë të rinj në fushë.
Nga filozofia e RedBird te “përbërësi sekret”
Vitet e fundit, strategjia e Milanit ka qenë e qartë: lojtarë të rinj me potencial të madh dhe vlerë të lartë rishitjeje. Këtë verë, ky parim nuk ndryshoi – emra si Ardon Jashari dhe Zachary Athekame janë shembuj tipikë.
Por, siç shkruan Corriere dello Sport, nëpërmjet AllMilan, u shtua diçka ndryshe: përvoja. Dhe pikërisht kjo përbën “përbërësin sekret”.
Luka Modric, Adrien Rabiot, Pervis Estupinan dhe Christopher Nkunku janë emrat që sollën jo vetëm cilësi, por edhe eksperiencë nga ligat më të forta, ku trofetë dhe ndeshjet vendimtare janë pjesë e përditshmërisë.
Statistikat flasin qartë
Sezoni i kaluar e gjeti Milanin me një moshë mesatare 25.1 vjeç – skuadra e pestë më e re në Serie A. Sot, pas tre javësh të para, kjo mesatare është rritur në 26.4, duke e bërë ekipin e gjashtë më të “moshuar” të kampionatit. Një ndryshim i dukshëm.
Eksperienca edhe jashtë fushës
Në stolin e trajnerit, Massimiliano Allegri sjell fitoret dhe eksperiencën e grumbulluar në Itali. Ndërsa Igli Tare, me 18 vite te Lazio, shton peshë e dije në strukturat e klubit.
Në vitet e fundit, ka pasur kritika se Milani nuk ishte i përgatitur mjaftueshëm për realitetin e futbollit italian. Me ndryshimet e fundit, kjo perceptohet si një faqe e re në historinë kuqezi.