Pasi publikoi listën, selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran ka folur në konferencën për shtyp për grumbullimin e këtij muaji, i cili nis të hënën.
Shqipëria këtë muaj i luan dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit C1 të Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Finlandën dhe Hungarinë.
Ndeshja e parë do të jetë në Tiranë me Finlandën me 12 nëntor kurse tri ditë më vonë luhet dueli me Bjellorusinë në Hungari.
Shqipëria është e para në grup me nëntë pikë, dy më shumë se Finlanda e Hungaria kurse Maran ka thënë se synon që sezonin ta mbyllë në këtë pozitë për t’u promovuar në Ligën B sezonin tjetër.
“Presioni është pozitiv, duam të bëjmë mirë, të mbyllim mirë këtë grup, në kryesim. Kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë, jemi me motivimin e duhur”, ka thënë Maran.
Ai ka insistuar me bindje të plotë se ka bërë listën e duhur për këtë dy përballje dhe ka thënë se stërvitjen e së hënës do ta mbajë me dyer të hapura, duke mirëpritur të gjithë tifozët.
“Jemi të parët në çdo të dhënë në Ligën C. Në të gjithë Ligën C jemi të parët me gola në favor, jemi ata që kemi pësuar më pak aksione kundër, të parët jemi edhe me gjuajtjet në portë”, ka shtuar Maran.