Një nga tre të dyshuarit në tentativën e shantazhit ndaj familjes së ish-kampionit botëror të Formulës 1, Michael Schumacher, është sërish i lirë.
Arsyeja e lirimit të tij është gjendja e re e hetimit, tha prokurori Wolf-Tilman Baumert, siç raportohet nga “Frankfuerter Allgemeine Zeitung”.
30-vjeçari u lirua nga paraburgimi, pasi kishte paguar 10,000 euro garanci.
Burri duhej të dorëzonte edhe pasaportën e tij. “Ne e akuzojmë atë vetëm për ndihmë dhe nxitje, ai ndoshta nuk është truri i krimit”, është shprehur tha Baumert. Javën e kaluar, zyra e prokurorit publik të Wuppertalit njoftoi se policia kishte arrestuar një person që dyshohet se qëndron pas përpjekjes për zhvatje.
Bëhet fjalë për një 52- vjeçar që punonte si oficer sigurie në familjen Shumacher.
Personi në fjalë u arrestua të enjten në Wulfrath pranë Wuppertalit, si i dyshuari i ri kryesor.
Kujtojmë se hetuesit kishin arrestuar më parë dy prej shantazhuesve të dyshuar, baba e bir. Sipas akuzave, ata kanë kërkuar 15 milionë euro për të mos publikuar të dhëna sensitive në internet dhe si provë i kishin dërguar disa materiale familjarëve të Michael Schumacherit.