Amerikanët gjejnë Bosnjën në 1/16-at. Rezultat “i shkruar” mes “Socceroos” dhe amerikano-jugorëve, që 99% kualifikohen si një nga skuadrat e treta më të mira.
Turqia ka marrë fitoren e parë në Botërorin 2026, duke mundur SHBA-të 3-2, por është eliminuar nga kompeticioni. Në “Sofi Stadium” u shënuan 5 gola. Trusty shënoi i pari për amerikanët, turqit barazuan shpejt me Guler dhe pastaj kaluan në avantazh me Yilmaz.
Në pjesën e dytë barazoi Berhalter dhe u duk se gjithçka do të mbyllej kështu, por në minutën e 8-të shtesë Ayhan i dhuroi fitoren Turqisë, që vlen vetëm për statistika. SHBA-të kanë ruajtur gjithsesi vendin e parë dhe në fazën tjetër të turneut do të ndeshen me Bosnjën.
Kalojnë në të njëjtin grup edhe Australia dhe Paraguaji, protagonistët e “biskotës” së parë të këtij Botërori. Me një barazim kalonin të dyja skuadrat dhe barazim rezultoi, madje shumë i mërzitshëm. Një 0-0 me 7 gjuajtje në portë në total dhe asnjëra prej tyre e rrezikshme.
Australia renditet e dyta në grup dhe në 1/16-at ndeshet me vendin e dytë të Grupit G, që mund të jetë Egjipti, Irani, Belgjika ose Zelanda e Re.
Paraguaji duhet të presë ende për sigurinë e kalimit të turit, por në renditjen e të tretave më të mira lë pas Korenë e Jugut, Skocinë dhe të tretën e grupit të Francës. Mjafton të lërë edhe një skuadër tjetër prapa për të vazhduar më tej.