Wednesday, 25. November 2026
Sport

SHBA trajnon institucionet shqiptare për provat digjitale, ambasadori Wendt: Luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar

GS 25/11/2026 2 Min. Lesezeit

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi sot për një trajnim të zhvilluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, me fokus përdorimin e provave digjitale në hetime. Ambasadori Eric Wendt thekson se bashkëpunimi mes dy vendeve synon goditjen e organizatave kriminale ndërkombëtare dhe luftën kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbështesin institucionet shqiptare në forcimin e kapaciteteve hetimore përmes trajnimeve mbi përdorimin e provave digjitale në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila njofton se trajnimi është administruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe ka në fokus përdorimin e provave elektronike në proceset hetimore.

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, i cili u takua me kreun e SPAK Klodian Braho dhe kreun e BKH-së Joni Keta vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar se përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe punës së përbashkët synohet goditja e organizatave kriminale ndërkombëtare.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë krenohet që ofron trajnim të administruar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA për përdorimin e provave digjitale në hetime, me qëllim luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit”, u shpreh Wendt.

Ai theksoi se ky bashkëpunim nuk kufizohet vetëm te forcimi i kapaciteteve të hetimit, por lidhet edhe me krijimin e një mjedisi të drejtë për biznesin dhe investimet amerikane në Shqipëri.
“Përmes punës së përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po luftojnë organizatat kriminale ndërkombëtare dhe po punojnë për të krijuar kushte të barabarta konkurrimi për bizneset amerikane, duke nxitur njëkohësisht përfitimet e ndërsjella”, deklaroi ambasadori.

Teilen: