Sesa shumë i kishte munguar Dushan Vlahoviçi Juventusit në ndeshjen e kampionatit ndaj Lacios, serbi i tregoi qartë mbrëmjen e djeshme në gjysmëfinalen e vajtjes së Kupës së Italisë, ku goli i tij i dytë, me një aksion gati personal prej bomberi zone (finte dhe goditje e thatë me të majtën) mund të vlejë finalen e Kupës së Italisë, ndonëse 24- vjeçari, duke parë momentin negativ, kërkon që të mbajë poshtë euforinë dhe të përqendrohet te ndeshja e radhës në kampionat.
Dushan, sa nevojë kishit për një mbrëmje gati perfekte si kjo?
Pa dyshim shumë, duke parë që jemi ende në një moment jo të vështirë, por më shumë sesa kaq. E dinim se duhet të ishim në lartësinë e kësaj ndeshjeje dhe në fund jo vetëm ia dolëm, por mendoj se e merituam të fitonim një tjetër takim të vështirë me Lacion. Gjithsesi, ky është vetëm raundi i parë, sepse në Romë do të jetë një tjetër sfidë, një 90 minutësh shumë i gjatë, në të cilin duhet të bëjmë edhe më mirë sesa këtu në Torino. Madje, tani këtë fitore duhet ta arkivojmë sa më shpejt, sepse në fundjavë kemi një ndeshje edhe më të rëndësishme ndaj Fiorentinës, të cilën nuk mund ta gabojmë absolutisht.
Mund të jetë kjo fitore një pikë rifillimi për Juven?
Shpresoj që po, sepse mundëm një skuadër shumë të fortë, e cila është transformuar totalisht falë punës së një trajneri vërtet të fortë dhe i zoti. Nuk ishte e lehtë, por nëse japim gjithçka në fushë dhe nëse qëndrojmë të qetë, pa dyshim që dimë sesi të fitojmë. Goli i Kiezës në fillimin e pjesës së dytë na i lehtësoi shumë gjërat, ndërsa i imi shpresoj që të vlejë finalen e një trofeu që e duam për tifozët tanë.
Për ju është një sezon shumë i rëndësishëm. Je në kuotën e 16 golave sezonal. Të paktën ju e keni bërë detyrën tuaj…
Po, mund të themi që është një sezon i rëndësishëm për mua, por mund të ishte edhe më shumë. Unë i pari mund të kisha bërë shumë herë më mirë në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha nuk është se bazohem vetëm në numrat e mi. Unë dua që skuadra të fitojë, sepse vetëm atëherë edhe golat e mi mund të kenë peshën e tyre dhe unë mund të jem i lumtur. Vetëm nëse fitojmë të gjithë së bashku mund ta quaj edhe unë vetën të zotin.
Mund të themi se periudha e errët e juaja është lënë pas shpatullave?
Të shpresojmë që po, pasi bëmë vërtet një ndeshje të madhe, sidomos në pjesën e dytë. Por unë dua të përgëzoj dhe të falënderoj shokët e mi dhe tifozët që kishin ardhur për të na mbështetur. Ishin të shumtë dhe kjo tregon sesa e fortë është lidhja me këtë skuadër, ndonëse në të njëjtën kohë unë i kërkoj falje që i kemi zhgënjyer kaq të gjatë.
JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL