Wednesday, 25. November 2026
Sport

Shkodër, 13 të arrestuar për shitje droge pranë shkollave, sekuestrohen 1.6 kg kanabis

GS 25/11/2026 2 Min. Lesezeit

Trembëdhjetë persona janë arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në disa grupe që shpërndanin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike të qytetit.

Operacioni i koduar “Shkolla të Pastra” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.

Në kuadër të operacionit u ekzekutuan urdhrat e ndalimit për 13 shtetas, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Mes të arrestuarve janë edhe tre persona me precedentë kriminalë për të njëjtën vepër penale.

Sipas policisë, personat e dyshuar vepronin të organizuar në disa grupe dhe shpërndanin kanabis në doza në zona të ndryshme të Shkodrës, duke përfshirë edhe ambientet pranë institucioneve arsimore.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram e 670 gramë Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe paketuar në qese farmaceutike, gati për shitje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu tri peshore elektronike, qese farmaceutike që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës, dy automjete dhe 14 telefona celularë.

Të arrestuarit janë F. G., 39 vjeç, I. T., 35 vjeç, S. K., 25 vjeç, L. M., 18 vjeç, Q. G., 36 vjeç, M. P., 21 vjeç, L. D., 28 vjeç, E. M., 20 vjeç, E. F., 21 vjeç, E. F., 23 vjeç, Gj. K., 21 vjeç, M. Gj., 18 vjeç, banues në Shkodër, si dhe A. S., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa të dyshuarit do të përballen me hetimet dhe procedurat përkatëse gjyqësore.

Teilen: